Nxënësit, “viktimë” e fushatës së pushtetit

Nga Rigels Xhemollari

Jemi në vigjilje të fushatës zgjedhore dhe si çdo vit elektoral qindra salla apo pallate sporti pritet të pushtohen nga militantët e partive politike dhe qindra shirita janë gati për tu ri-prere.

Në fakt mitingjet dhe inaugurimet janë elementët e fushatave kudo në botë, por në Shqipëri ekziston një praktikë e shëmtuar abuzive ku pushteti i mbush sallat me punonjës, që duan të ruajnë vendin e punës dhe i dekoron me nxënës, të cilët të influencuar nga pushteti ashtu si kandidatët e militantët, janë të shqetësuar se kush parti do t’i fitojë zgjedhjet. Pikërisht kjo kategori është më e prekura dhe më e dëmtuara sepse jo vetëm që largohen nga dija dhe mësimi për të shkuar në miting, por pjesëmarrja në mjedis elektoral i deformon ata psikologjikisht me anë të demagogjive boshe dhe premtimeve qesharake siç ishte ajo e votës së 16-vjeçarëve.

Sot për një nxënës që mëson në shkollën e mesme prioritet janë studimi, edukimi cilësor dhe aktivizimi në shoqëri apo sport, jo mitingjet militanteske, posterat dhe flamurët e partive. Të gjithëve ju duken anormale shifrat e larta në 57% të 15- vjeçarëve, të cilët konsiderohen analfabetë sipas sondazhit të Bankës Botërore, apo rezultatet gjithmonë e në ulje nga viti në vit të maturës shtetërore, të cilat kanë vetëm një shpjegim: vëmendja e pushtetit, kryeministrit dhe ministrit të diturisë nuk shkon tek cilësia e arsimit, mungesa e ambienteve shkollore, mbipopullimi i klasave, por tek mitingjet dhe cilësia e shfrytëzimit dhe manipulimit të nxënësve të shkollave me demagogji politike e përdorim të institucioneve arsimore në interes të pushtetit.

Dikush mund të thotë se ata shkojnë me dëshirë, por kjo dëshirë imponohet nga mësuesit liberalë, të punësuar e porositur nga partia- shtet dhe nga trendi i kohës ku partia shihet si e vetmja rrugë për të bërë karriere.

Këto akte të politikës shqiptare e kanë zanafillën qysh në komunizëm ku pionierët i thurnin vargje diktatorit e u trashëguan nga politikanët e tranzicionit si mjete elektorale në mjedisin pluralist ku vazhdon të përdoret më së shumti imazhi i nxënësve dhe fëmijëve si flamur elektoral. Ajo që ndodhte me Çausheskun në Rumani, i cili shfaqej me nxënës tribunave, ndërkohë që kriza ekonomike e shkaktuar prej tij mori jetë të miturish, ajo që ndodhi me Putinin e Kastron që i përdornin fëmijët si pastrues e tonifikues të figurave politike, ashtu edhe kryeministri ynë duke pasuar paraardhësin Hoxha, zapton vatrat e dijes, pra shkollat, duke i kthyer në arena premtimesh, fyerjesh dhe përdorimi të imazhit të nxënësit e mësuesit shqiptar.

Ky veprim apo mosveprim është një krim ndaj gjeneratës së re, por akoma më shumë është një krim ndaj të ardhmes sonë, të cilën mbarë shoqëria duhet ta denoncojë e dënojë me ligj dhe votë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *