Kryetari i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi pret përfaqësuesin e Misionit të OSBE-së

Deklaratë e Zyrës së Medias

Sot më 29.06.2015, Kryetari i Frymës së Re Demokratike Prof. Dr. Bamir Topi priti në selinë e FRD-së, me kërkesë të Misionit Vëzhgues të OSBE-së përfaqësuesin politik të këtij Misioni, zotin Andew Bruce.
Takimi pati në qendër procesin e administrimit të votës dhe problematikat që dalin prej tij dhe solli në bisedë situatën zgjedhore konkrete.

Larg gjuhës diplomatike dhe mjaft kruçal, Kryetari i FRD-së, zoti Topi deklaroi se ka ardhur koha kur OSBE, së bashku me faktorët e tjerë ndërkombëtarë duhet të ushtrojnë rolin e tyre në funksion të shëndoshjes së demokracisë shqiptare.

Raportet e rrumbullakosura, gjuha diplomatike dhe metaforat elegante të raporteve ndërkombëtare duhet ti lenë vendin paraqitjes reale të situatave dhe duhet të japin pa ekuivok rekomandime që i ndihmojnë jo vetëm konstatimit të problemit, por dhe ndryshimit të tij.
“Është e pafalshme- deklaroi zoti Topi, që demokracia në Shqipëri i ngjan një të sëmuri në kimioterapi të vazhdueshme….Është koha që sistemi duhet ndihmuar të dalë nga agonia, në të cilën e kanë futur elefantët e politikës…”,– u shpreh më tej Zoti Topi.

Ndërsa vërejti se vërtetë procesi zgjedhor ka kaluar pa probleme të mëdha, Kryetari i FRD-së pati mendim të ndryshëm sa i takon fazës së administrimit të votës. Në këtë proces u ripërsëritën të njëjtat skema vjedhjeje të zgjedhjeve të kaluara, skema që penalizuan edhe këtë rradhë partitë që pengohen nga Kodi Zgjedhor për të qenë pjesë e administrimit të votës.
Mospërputhja mes votave të numëruara dhe atyre të paraqitura në pocesverbalet e KZAZ-ve, pamundësia për të reaguar dhe ndryshuar këtë fazë të procesit, një proces ankimimesh që rrezikon të jetë një shfaqe zgjedhore dhe jo një proces i drejtë ligjor u sollën në takim si pikat problematike të procesit.

I shqetësuar përtej procesi konkret të zgjedhjeve të 21 Qershorit, Zoti Topi deklaroi se ka ardhur koha që në Shqipëri tranzicioni të marrë fund në të gjitha hallkat e sistemit, kësisoj edhe në atë zgjedhor, në mënyrë që ti shërbehet ndërtimit të një demokracie të vërtetë dhe funksionale.
Ndryshimi i formulës zgjedhore dhe instalimi i teknologjisë së numërimit, janë sipas zotit Topi mundësitë konkrete që do të çonin sistemin e zgjedhjeve në drejtimin e duhur.

I bindur për rolin ndihmues dhe këshillues të OSBE-së, Kryetari i FRD, Bamir Topi deklaroi se ka ardhur koha që OSBE të mos mbetet vetëm në rolin e raportueses së rradhës. Një raport që në çdo proces zgjedhor përsërit vazhdimisht se procesi aktual është më i mirë se i pari, por ka ende punë drejt plotësimit të
standardeve, nuk i shërben askujt- vërejti Zoti Topi.

Zoti Bruce, ra dakord për shumë pika të diskutimit dhe kërkoi që FRD të paraqesë në mënyrë të përmbledhur observimet e saj, në mënyrë që të gjenden hapësirat për tu implementuar si pjesë të raportit përfundimtar të OSBE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *