Shqiptarët duan perëndimin, PD ju ofron modelin e Millosheviçit

Nga Alfred Cako

Më në fund, aleati ynë strategjik, SHBA, foli qartë, hapur dhe pa ekuivoke. Departamenti amerikan i Shtetit fajësoi hapur Partinë Demokratike me një deklaratë për publikun, për sa i përket bllokimit të Reformës në Drejtësi, për të cilën është investuar aq shumë Ëashingtoni, Londra dhe BE në gati dy vjet. Politika dhe diplomacia janë ndjesi dhe të gjithë qytetarët shqiptarë e kishin nënkuptuar këtë konflikt diplomatik mes PD dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë. Ndoshta qysh në kohën e ambasadores Mariza Lino që hyri në konflikt me ish kryeministrin Nano në lidhje me mbështetjen me ekuivoke të Shqipërisë në luftën kundër makinerisë së pushtimit të Milosheviçit për të çliruar nga zgjedha popullin shqiptar te Kosovës, ky është rasti i dytë kur SHBA hyn hapur në një luftë për kauzën e sistemit me lidershipin opozitar të sotëm në Shqipëri dhe fjalët e deklaruara janë pa ngjyrimin e ëmbël nga sheqerosja e fjalëve diplomatike. Kishim dëgjuar nga ndërkombëtarët në vitin e mbrapshtë ’97 të thoshin me gjuhën e Franc Vranickit se ‘Unë e di se kush është engjëlli dhe kush është djalli’ duke bërë vetëm aludime. Ndërsa para dy ditësh, Ambasada Amerikane foli qartë kur tha se PD-së i kishte munguar fleksibiliteti për t’u kaluar Reforma në Drejtësi.

Ky moment ishte kulmimi i një hopi cilësor negativ të qëndrimeve intrasigjente e recidiviste antisistem tre vjeçare të PD-së të frymëzuar nga aksioneri i saj kryesor e ndoshta i vetëm, ish kryetari Sali Berisha. Po ta shikosh në thelb, përplasja është jo vetëm një përplasje interesash e paprinciptë nga ana e z.Berisha, por edhe një përplasje e nisur nga formimi i vjetër mental i tij. Pra ka një përplasje mes modelit demokratik e pluralist me konceptin e rotacionit të elitave që sjell ky model 3-4 shekullor anglo-sakson dhe modelit totalitarist që sjell z.Berisha nga formimi i tij intelektual dhe politik para viteve ’90. Duket se modeli i dytë që ndjek z.Berisha nuk i njeh dhe pranon, veçse formalisht, principet e modelit pluralist perëndimor. Modeli totalitarist e nënkupton pushtetin sa të jetë jeta fizike, madje edhe vazhdimësinë e tij sipas linjës despotike gjenetike a nepotike, qoftë edhe formalisht, duke e trukuar pak atë nga forma me elementët realë të pluralizmit, siç kanë vepruar duke emëruar në krye të PD-SHPK Lulzim Bashën si kryetar de jure, por që në fakt ai është vetëm një administrator i saj dhe jo një aksioner real e i fuqishëm.

Kur studentët dolën më ’90 me shprehjen e tyre lapidare ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe themeluan me këto objektiva partinë e tyre të parë pluraliste, PD, pakkush mund t’a kishte imagjinuar se kjo parti do të bëhej pas dy dekadash bllokuesja më e madhe e sistemit pluralist, e shtetit të së drejtës, e lirive të njeriut, e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Kjo fuqi e Sali Berishës për të kundërshtuar sfidat që e orientonin vendit drejt perëndimit u krijua dora dorës për shkak të disa rrethanave të caktuara. Duke pasur për 25 vjet shumë mjete të brendshme e rajonale në zonat ku jetojnë shqiptarët në dorë, edhe pse duke qenë hera herës një ferrë e vogël për ndërkombëtarët, madje jo vetëm në momentet kur ai ka qenë në opozitë, ai ka ditur të triumfojë me mbijetesën e vet politike pasi në axhendën e ndërkombëtarëve kostoja e largimit të tij mund të ishte me bilanc negativ dhe ata duket se kanë gëlltitur gjuhën për të mos krijuar me të konflikte të thella. Por sot situata ka ndryshuar. Zullumi këputet prej së trashuri, thotë populli. Bllokimi i sistemit prej tij ka venë në sprovë të vështirë gjithë perëndimin i cili e ka sfidë promovimin e tij kredibël e me rezultate konkrete në këtë territor ballkanik ku kanë filluar të përplasen mes veti dy modele: perëndimori dhe lindori, perëndimori laik dhe lindori teokratik, perëndimori që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut dhe bizantinisti ku shteti qëndron mbi individët dhe i shtyp ata në të drejtat e tyre, perëndimori që nëpërmjet ligjeve krijon liritë ekonomike dhe konkurrencën e gjerë të tregut dhe lindori statist ku prodhuesi kryesor në ekonomi është vetë shteti, perëndimori ku zot është ligji dhe lindori ku zot është ‘Maliqi’, perëndimori ku korrupsioni ulet në nivele maksimale dhe lindori ku mita dhe nepotizmi është e vetmja zgjidhje e problemeve në të dy sektorët.

Duke u përplasur me SHBA, PD duket sot më afër se kurë me Putinin dhe me Kim Jongun e Koresë së Veriut; madje Sali Berishën në këto momente do t’a kishte zili po të ishte gjallë edhe Ramiz Alia, babai i tij shpirtëror. Duket se delfini e ka kaluar mentorin e tij në akrobacitë e piruetat e rrezikshme antiperëndimore jo vetëm për të ardhmen dhe fatin e vendit, por edhe për fatin e tij personal. Ylli që po e udhëheq sot Sali Berishën duket se është ylli i Putinit dhe Llukashenkos. Por për rastin e Shqipërisë, duket se kalkulimi i tij është i gabuar dhe i dështuar, ashtu si kalkulimi i vetë Miloshevicit para një decade e gjysëm. Arsyeja është se ‘milosheviçi’ ynë nuk ka të drejtë në këto që po bën, sepse ai po i kundërvihet interesit dhe orientimit intuitiv përëndimor të shqiptarëve. Ky rast për t’u riorjentuar, ne na u dha pas 1600 vjetësh, qysh pas rënies së Romës nga vizigotët dhe shuarjes së ndikimit të Perandorisë Romake në Lindje. Qysh pas shekullit të V-të dhe Bizantit, përjashto disa treva nën dominimin venedikas, shqiptarët kanë pasur rastet e përsëritura e të hidhura të binin nën errësirën e perandorive bullgare, serbe e osmane dhe më pas nën errësirën e telave të gjembit ruso-jugosllav me erë gjaku të diktaturës bolshevike 50 vjeçare. Ardhja në skenë e studentëve të dhjetorit të orientuar sipas dritës perëndimore në fund të tunelit duket se ka si pol të kundërt, si antipod, një nga themeluesit e vet, Sali Berishën dhe dinastinë e tij familjare e krahinariste që e pengon dhe bllokon ecjen e vendit drejt zgjidhjes së sfidave për të hapur portat e BE.

Po ta shohësh me shumë kujdes, sot Sali Berisha e ka kaluar pozicionin dhe deklaratat e F.Nanos në dy takimet me Milosheviçin në Kretë: ‘Ballkani ballkanasve’ dhe termin ‘Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi’. Sot duket se nga Berisha, edhe më keq, deklarohet se ‘Kryeqyti i Shqipërisë është Azia’. Këtë pozicion të tij sfidante dhe këtë kurajë antiperëndimore Sali Berisha e mbështet tek imazhi i fuqisë të një grupi milionerësh banditë e kusarë pranë tij që kanë rrjepur Shqipërinë e që i bashkon etja e pashuar e vampirëve rreth bërthamës së Doktorit. Mundet që ai mendon se ndërkombëtarët nuk do të shkojnë në ekstrem, por tani zaret e ‘luftës’ janë hedhur pas deklaratës së SHBA dhe sfida ngelet e hapur duke shtruar pyetjen retorike ‘Kush do mundet?’. Nga kjo sfidë njëra palë do të bjerë nga fuqia dhe influenca. SHBA kanë si kriter për të luajtur hapur dy parime: të kenë të drejtë demokratikisht dhe t’u interesojë si fuqi politike. Duket se të dy këto parime janë plotësuar për ta, në rastin e Reformës në Drejtësi.

Sali Berisha duke shfrytëzuar një moment artificial tensioni të brendshëm i provokoi para dy muajsh ndërkombëtarët kur kërkoi nga foltorja e Kuvendit që të lejoheshin të gjithë shqiptarët, ‘e kërcënuar nga bandat e qeverisë’ që të armatoseshin e të mbronin veten, sikur ne të ishim tribu që duhet të funksiononim bazuar tek liritë natyrale parapolitike. Sali Berisha me këto qëndrime kërkon të kërcënojë shtetin, shqiptarët dhe ndërkombëtarët duke marë peng rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Mbas valles së tritolit që i shoqëroi shqiptarët për një vit, destabilizimi i shtetit me çdo rast e me çdo mënyrë ka qenë kursi i tij i politikës nga foltorja e Kuvendit deri tek komunikimi i tij antishtet i përditshëm online dhe i mediave pranë tij me publikun. Ai po nxit shtetin e tij të vjetër paralel të korruptuar që kërkon të dërrmojë Reforma në Drejtësi, kundër shtetit kushtetues. Lufta mes prokurorisë dhe gjykatave nën ndikimin e ‘miloshevicit’ shqiptar nga njëra anë dhe shtetit legal nga ana tjetër vjen i frymëzuar guximshëm si reagim i skalionit të korruptuar dhe i falangave të ‘miloshevicit’ shqiptar kundër Reformës në Drejtësi, kundër të ardhmes së Shqipërisë evropiane. Prokuroria, e rënë totalisht nën thundrrën e ‘miloshevicit’ të Tiranës, ka pasur raste të tjera të ngjashme ta tregonte zellin e saj për të mbrojtur të drejtat dhe liritë kushtetuese, edhe atëhere kur shteti blu i përgjonte nga zyrat e SHIU-t. E dimë se ky organ nuk ka vepruar po njëlloj e me të njëjtën përkushtim ndaj çdo rasti të supozuar të tillë abuzimi me ligjin. Prokuroria u aktivizua me bllokimin e kreut të policisë H.Ҫako pikërisht atëhere kur pritej deklarata e SHBA që do t’i hiqte petët lakrorit blu të SHQUP-it mbi bllokimin e Reformës.
Në këtë betejë Berisha dhe administratori legal i PD, z.Basha, kanë marë peng jo vetëm partinë dhe krahun e tyre politik, por gjithë fatet e shqiptarëve në një rrokullimë të rrezikshme. Megjithë moshën e tij të re por jo pa eksperiencë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, z.Basha e di se ne nuk jemi ishulli i Robinsonit; ai nuk mund të fshihet mbrapa gishtit e të kërkojë alibi, pasi të gjithë e dimë se ai është bashkëfajtor në këtë valle antishqiptare të kryesuar nga ‘milosheviçi’ Berisha. Shqiptarët duhet të çlirohen një orë e më parë nga ky përqafim vdekjeprurës i tij dhe shoqëria jonë e pa fuqishme duhet të gjejë të gjitha mekanizmat të shpëtojë nga ky oktapod. Në këtë luftë për të rilindur sisemin dhe shtetin e së drejtës, shqiptarët kanë me vete SHBA dhe BE, vendet nga rreh nordi i busullës së tyre gjeostrategjike e qytetërimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *